Bombardimi i Alepos, vriten 14 anëtarë të së njëjtës familje

17/10/2016 00:00

14 anëtarë të së njëjtës familje u vranë si pasojë e një sulmi ajror mbi zonat lindore të Alepos. Vullnetarët e mbrojtjes civile që njihen si “Helmetat e Bardha”, të cilat raportuan lajmin, thanë se 8 fëmijë dhe 2 gra ishin mes viktimave.

Familja u vra në zonën e al Marxhas të hënën pas një sulmi ajror që sipas mbrojtjes civile siriane u krye nga një avion rus.

Vullnetarët thanë se është tragjike që një familje e tërë i shfaros nga bombat, por fatkeqësisht ky është thjeshtë një tjetër episod i dhimbshëm në luftën pa fund të Alepo dhe në Siri.

Anëtarët e forcave vullnetarë thanë se rreth 25 civilë të tjerë u vranë të dielën vonë, kur bombat e lëshuara nga avionët goditën një ndërtesë rezidenciale në zonën al-Katerxhi. Banorë të tjerë të Alepos ndërkohë raportuan se qyteti kishte pësuar bombardime nga më të rënda gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas tyre, forcat ajrore siriane dhe ruse kanë shtuar edhe fuqinë e bombave apo raketave që lëshojnë, pasi shpërthimet pasohen nga lëkundje më të forta dhe më të gjata të tokës, diçka që nuk ndodhte më parë.

Në kuadër të kësaj situate, shefi i politikës së jashtme të BE tha se mund të zgjerohen sanksionet ndaj Sirisë. Por Federica Mogherini tha se në axhendën e unionit nuk ishin sanksione të reja ndaj Rusisë, diçka e kërkuar më herët nga Franca dhe Britania.

Pas dështimit të armëpushimit disa ditor muajin e shkuar, Rusia dhe Siria nisën një fushatë të ashpër bombardimi në Alepo për të marrë kontrollin e qytetit nga rebelët. Pavarësisht se Moska dhe Damasku pretendojnë se godasin terroristët, është e qartë se bombardimet bëhen pa asnjë dallim dhe civilët e pafajshëm janë ata që po pësojnë humbjet dhe vuajtjet më të mëdha.

Top Channel