Basha: Të rrëzojmë Ramën, shkeli kontratën me shqiptarët

15/10/2016 00:00

Në analizën e demokratëve, Edi Rama është një kryeministër që ka shkelur kontratën me qytetarët për të bashkëqeverisur me krimin, të cilin, sipas Lulzim Bashës, e ka vendosur në të gjithë piramidën shtetërore.

“E ka shkelur kontratën me shqiptarët sepse premtoi rend dhe siguri. Por në fakt erdhi në pushtet me krimin dhe prej asaj dite i shërben dhe shërbehet nga krimi dhe kur ne denoncojmë ka guxim të thotë se opozita është më e keqe e krimi. Sigurisht që për Edi Ramën opozita është më e keqe se krimi, se me krimin drekon, me krimin darkon, me krimin gdhihet, me krimin ngryset, me krimin i ka të gjithë pazaret”, tha Basha.

Kreu i opozitës bëri një analizë të ngjashme edhe për mosmbajtjen e premtimeve që sollën Edi Ramën në pushtet.

“Nga njëra anë iu premtoi shqiptarëve që buxhetin do ta kishte për shqiptarët, për të ulur taksat, për të rritur rrogat, për të rritur pensionet, për shëndetësinë falas, për legalizime falas dhe ditën që mori pushtetin e shiti buxhetin tek klientët e tij”, u shpreh kreu i PD.

Demokratet janë të bindur të veprojnë shumë shpejt për t’i ndërprerë Edi Ramës kontratën e qeverisjes.

“Sot jemi përpara një detyre historike t’i prijmë këtij vullneti popullor dhe të rrëzojmë një orë e më parë shkelësin e kontratës, të inkriminuarin, të korruptuarin Edi Rama dhe skotën e tij në qeveri”, tha Basha.

Top Channel