SHBA-Kubë, Uashingtoni vijon lehtësimin e masave kufizuese

14/10/2016 00:00

Administrata Obama ka njoftuar këtë të premte marrjen e një seri masash ekzekutive për të lehtësuar më tej kufizimet tregtare, financiare dhe të lëvizjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shtëpia e Bardhë, që në një njoftim për shtyp ka sqaruar se rregullat e reja do ta bëjnë më të lehtë për kompanitë amerikane të importojnë nga Kuba.

Masa prek kryesisht produktet farmaceutike kubane, ndërsa kompanitë amerikane të agrikulturës do të mund të shesin produktet e tyre në ishull.

Nga ana tjetër, kubanezët do të mund të kryejnë blerje të mallrave amerikane online, ndërsa amerikanët të blejnë rumin kubanez dhe cigaret pa kufirin e shpenzimeve prej 100 dollarë.

Përmirësimi i marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, të cilat rivendosën kontaktet diplomatike pas 50 vitesh bllokadë, vjen në një moment të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare, me Rusinë që ka shprehur dëshirën për të rihapur ish-bazën e saj në Kubë.

Top Channel