“The Voice” rikthehet në Tiranë

14/10/2016 00:00

“The Voice of Albania 6” përmbylli fazën e audicioneve përzgjedhëse në kërkim të zërit më të mirë shqiptar aty ku edhe e nisi, në Tiranë.

Pas një kërkimi përreth një muaj, kjo ishte mundësia e fundit për këtë sezon për të gjithë ata që provuan veten në këtë talent show.

“Është një format serioz dhe unë mendoj se është i duhuri për të marrë pjesë”, shprehet një prej konkurrentëve”.

“Shpresoj të eci sa më larg dhe të tregoj veten”, shprehet një tjetër.

Për shumë prej tyre kjo ishte një eksperiencë e provuar për disa herë radhazi.

“Besoj se asnjëherë nuk duhet të heqësh dorë nga ëndrrat. Nëse diçka është ëndrra jote besoj se duhet të shkosh deri në fund me të”, shprehet një konkurrente.

Produksioni gjatë kësaj kohe ka prekur qytetet kryesore shqiptare, edhe jashtë kufijve në Kosovë, Maqedoni apo Malin e Zi. Ajo çka kërkonin duket se i ka kapërcye pritshmëritë.

“Kemi udhëtuar përgjatë gjithë Shqipërisë, ku kemi gjetur zëra mjaft interesant, zëra potentë, zëra stili”, thotë Kamela Islamaj.

“Me thënë të drejtën, janë i surprizuar sepse nuk prisja një fluks kaq të madh njerëzish”, shprehet Alban Male, drejtor artistik i “The Voice of Albania”.

Për garuesit eksperienca ishte frymëzuese, për më tepër tani që emrat e të katër trajnerëve janë bërë të ditur, secili ka preferencat e tij për mentorët. Nga disa përgjigje më i preferuari duket se është Alban Skënderaj.

“Alban Skënderaj më pëlqen shumë si këngëtar. Gjithmonë bën këngë të bukura dhe e adhuroj”, thotë një konkurrente.

“E kam simpatizuar gjithmonë dhe e kam adhuruar gjithmonë punën që bën Alban Skënderaj”.

Pas kësaj faze “The Voice” së shpejti do të vijë në ekranin e Top Channel me surpriza të shumëfishta.

Top Channel