Rama: Gjendja e sotme e fshatit është për faj të PD-së

11/10/2016 17:05

Nga Manza e Durrësit, ku ka prezantuar për fermerët programin për bujqësinë, kryeministri Edi Rama bëri përgjegjëse qeverinë paraardhëse për gjendjen e fshatit sot.

“Llafe kazani PD-ja, kur nga një anë BE-ja e NATO-ja e nga ana tjetër e lanë fshatin në një derexhe që s’ka krahasim me fshatin e vendeve fqinje në rajon. Humbëm kohë sepse pa u bërë kjo reformë nuk mund të imagjinohej ky ndryshim. Me 400 komuna ishte e pamundur që të ecej siç duhej, madje për fat të keq u  bënë shumë devijime e shtrembërime me pasoja të mëdha, që nga abuzimet me tokën bujqësore, ndërtime kuturu, kthime pronash kuturu etj.”, u shpreh Rama.

Kritika, Edi Rama pati edhe për ligjin e tokës 7501, i cili, sipas kreut të qeverisë, nuk fuknsionoi për asnjë ditë: “Ligji 7501 nuk ka funksionuar për asnjë ditë. Do i japim të gjithëve certifikatat e tokës, do i bëjmë pronarë me ligjin 7501”.

Banorët e Manzës ngritën edhe shqetësime të tjera përveç tokës dhe prodhimit bujqësor, mes tyre, mungesa e shërbimit shëndetësor.

“Ne kemi bërë një reformë të thellë të sistemit të urgjencës, brenda pranverës së ardhshme s’do ketë më probleme të kësaj natyre, kemi organizuar flotën e autoambulancave”, tha Rama.

Kryeministri i ftoi fermerët që të përfitojnë nga Fondi Kombëtar i Garancisë për bujqësinë.

Top Channel