Marrëveshje Putin-Erdogan për gazsjellësin Rusi-Turqi

11/10/2016 00:00

Kongresit Botëror të Energjisë në Stamboll, Presidenti rus Vladimir Putin iu drejtua me deklaratën se vendi i tij është gati ta frenojë prodhimin e naftës bruto. Rusia, tha Putin, do t’i bashkohet në çdo moment masave për kufizimin  e prodhimit e i fton edhe eksportuesit e tjerë të naftës të bëjnë të njëjtën gjë.

“Ne e respektojmë nismën e fundit te OPEC-ut, e cila kërkon limite fikse të prodhimit. Presim që në takimin e organizatës në muajin nëntor, kjo ide të përkthehet në hapa specifike konkrete, të cilat t’u dërgojnë një mesazh pozitiv si tregjeve, ashtu edhe investitorëve”, tha ai.
 
Shefi i Kremlimit la të kuptohej se kuotimi i ulet i naftës ka çuar drejt një pamjaftueshmërie të investimeve në industrinë globale të energjisë. Në arsyetimin e tij, nisur nga situata aktuale, ngrirja apo edhe rrudhja e prodhimit është ndoshta i vetmi vendim i duhur për ruajtjen e stabilitetit të tregut global të energjisë.

Kreu i shtetit rus firmosi së bashku me homologun e tij, Rexhep Tajip Erdoan edhe marrëveshjen e gazsjellësit që do të dërgojë gazin rus në Turqi e në Europën Jugore. I ashtuquajturi projekti Turkish Stream nisi nga Putini në 2014-tën si rrugë alternative ndaj South Streamit që kalonte përmes Bullgarisë.

Plani u ndërpre përkohësisht pas ngërçit të krijuar mes dy vendeve pas rrëzimit të avionit luftarak rus në Siri nëntorin  e vitit te kaluar, por mosmarrëveshjet tani janë lënë pas krahëve. Qëllimi i nismës 11,4 miliardë euroshe është furnizimi i tregjeve turke e atyre europiane me gaz natyror rus nëpërmjet Detit të Zi.

Top Channel