“Frroku”, Gjykata kërkon dëshminë e Tom Doshit

11/10/2016 00:00

Në seancën gjyqësore në ngarkim të ish-deputetit Mark Frroku, këtë të martë duhet të dëshmonte për ish-kolegun e tij për akuzën e ndërtimit të paligjshëm, deputeti Tom Doshi.

Por deputeti Doshi nuk është paraqitur në gjykatë, e cila ka urdhëruar policinë që ta njoftojë atë. Gjykata gjithashtu kërkon nga policia që nëse deputeti refuzon të paraqitet për të dëshmuar, të shoqërohet me forcë nga ana e uniformave blu.

Dy javë më parë, deputeti Tom Doshi u paraqit në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës në cilësinë e dëshmitarit në procesin ndaj ish-kolegut të tij, por si për ironi të fatit, në ditën që paraqitet dëshmitari Doshi, nuk formohet trupi gjykues dhe deputeti ashtu siç ka hyrë, ashtu edhe ka dalë nga ambientete  gjykatës.

Tom Doshi është thirrur si dëshmitar i prokurorisë në procesin ndaj Mark Frrokut i akuzuar për vrasje, fshehje të të ardhurave dhe ndërtim të paligjshëm. Prokuroria ka kërkuar dëshminë e deputetit Doshi për akuzën e ndërtimit të paligjshem ndaj ish-deputetit Mark Frroku.

Tom Doshi dhe Mark Frroku janë të bashkëpandehur në një tjetër proces, ku akuzohen për inskenimin e një tentative vrasjeje ndaj deputetëve Mhill Fufi dhe vetë Tom Doshit.

Top Channel