Alibeaj: Vëllai i inkriminuar, Xhafaj drejton komisionin e reformës!!!

11/10/2016 00:00

Kryetari i Departamentit për rendin dhe sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar kryeministrin Rama se vazhdon të mbajë në krye të komisionit të reformës në drejtësi Fatmir Xhafajn, pavarësisht se nga autoritetet italiane i kanë ardhur të dhëna që inkriminojnë vëllain e tij.

“Vetëm në kazanin e mbetjeve të Edi Ramës mund të gjesh kryetar komisioni ligjesh, një njeri që pretendon se do të reformojë drejtësinë, ndërkohë që i vëllai është në hetim për trafik droge nga shteti italian. Njeriu i përzgjedhur nga Edi Rama për të luftuar krimin në radhët e gjyqësorit është i zhytur në krimin e familjarit të tij. Antimafia italiane i ka dorëzuar policisë shqiptare përgjimet për 7 rastet e evidentuara ku është përfshirë drejtpërdrejtë Agron Xhafaj, në importimin, furnizimin, shpërndarjen dhe shitjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të Italisë”, ka thënë Alibeaj.

Por, sipas tij, “i përzgjedhuri nga Edi Rama për të luftuar korrupsionin në drejtësi ka përdorur të gjitha levat e pushtetit për të ndalur zbatimin e ligjit, edhe pse shteti italian i ka sjellë të plota përgjimet e bëra për Agron Xhafën, rë cilat faktojnë përfshirjen e tij në trafik droge”.

Alibeaj ka akuzuar edhe policinë se hesht, “sepse Edi Ramës i duhet Fatmir Xhafaj për të bërë drejtësinë siç e do ai, “ku mbrohet krimineli, trafikanti, hajduti dhe dënohet qytetari që guxon t’i kundervihet pushtetit të inkriminuar të Edi Ramës”.

“Fatmir Xhafaj vazhdon të drejtojë komisionin e ligjeve sepse kështu mbron vëllain e tij trafikant droge. Ky është shteti që ngriti Edi Rama, me trafikantë, kriminelë, vrasës e tutorë prostitutash. Mbajtja me çdo kusht e pushtetit jashtë vullnetit të qytetarëve është arsyeja se pse Edi Rama refuzon të zbatoje ligjin e dekriminalizimit. Aleanca e krimit, drogës dhe plehrave nuk do ta shpëtojë dot Edi Ramën nga zemërimi i qytetarëve. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Alibeaj.

Top Channel