Veliaj, “leksion” fëmijëve për ndarjen e mbetjeve

11/10/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka vijuar me përurimin e kopshteve të tjera të rikonstruktuara me fondet e saj. Ndalesa e radhës ka qenë kopshti 25/a, në njësinë numër 4 të kryeqytetit.

Meqenëse pikërisht në Tiranë do të nisë së shpejti edhe procesi i ndarjes në burim të mbetjeve, kryebashkiaku Erion Veliaj shfrytëzoi takimin me të vegjlit për të improvizuar një orë mësimi, duke u shpjeguar atyre ndarjen e mbeturinave në kosha të caktuar.

Ai tha se shumë shpejt nëpër kopshte do të fillojnë edhe orët që do synojnë të edukojnë fëmijët se si të sillen me ambientin dhe hapësirat e përbashkëta.

“Do të fillojmë shumë shpejt disa orë mësimi në kopshte, për mënyrën se si ndahen mbeturinat. Bashkia e Tiranës do të vendosë disa kosha në të gjithë qytetin. Te koshat blu do të hedhim të gjitha mbeturinat që nuk riciklohen, kurse te koshat jeshilë do plastikën, letrën, metalin, të cilat mund të riciklohen. Duke pasur këta kosha ju do të na ndihmoni që t’u thoni prindërve që të mos i hedhin plehrat përtokë, por ato që riciklohen tek koshat jeshil, kurse ato që nuk riciklohen tek koshat blu. Unë kam shumë besim që ju do të na jepni një dorë, pasi në qoftë se ia thoni ju prindërve se si ta mbajmë Tiranën pastër, besoj se Tirana do të jetë shumë më e pastër”, u tha fëmijëve Veliaj.

Top Channel