Përmbytjet në Laç, Basha: Këto janë investimet e rilindjes

11/10/2016 00:00

Reshjet e dendura të shiut të rënë gjatë orëve të mbrëmjes së kaluar sollën përmbytje të mëdha në qytetin e Laçit, ndërsa humbi jetën aksidentalisht edhe një person.

Me anë të një postimi në “Facebook”, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar mbi situatën e krijuar nga përmbytjet në qytetin e Laçit, duke thënë se ndërkohë që Edi Rama rrihte gjoksin për suksese imagjinare, qindra familje të Laçit dhe Fushë Krujës u lanë në mëshire të fatit.

“Këto janë investimet e rilindjes: me shiun e parë qytetet përmbyten, shtëpitë e bizneset po ashtu. Qytetarët janë braktisur nga kjo qeveri e papërgjegjshme që kujtohet për ta vetëm për t’ju marrë votën”, shkruan Basha.

Teksa shpreh ngushëllime për familjen e 48 vjeçarit që ndërroi jetë, Basha i bën thirrje të marrë në dorë situatën.

“Fatkeqësisht përmbytjet mbrëmë shkaktuan një tjetër viktimë, ashtu si edhe një vit më parë. Duke shprehur ngushëllimet për familjen e Kol Mengës që humbi jetën tragjikisht për shkak të përmbytjeve, i bëj thirrje qeverisë të lërë propagandën dhe të marrë në dorë situatën për të ndalur çdo fatkeqësi tjetër dhe për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të goditur”.

Top Channel