Kosovë, Thaçi kërkon zbardhjen e vrasjeve të pasluftës. Mes tyre, edhe atentati ndaj Rugovës

10/10/2016 00:00

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar këtë të hënë 4 letra zyrës së kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, përmes të cilave inkurajon dhe u bën thirrje institucioneve të drejtësisë në vend t’u kushtojnë një vëmendje të veçantë disa rasteve që shqetësojnë qytetarët e Kosovës.

Kërkesat vijnë pas dorëzimit nga bashkësia ndërkombëtare tek institucionet vendase të kompetencave që kanë mbajtur deri më sot në fushën e drejtësisë.
 
“Falë profesionalizmit, paanshmërisë, përkushtimit të dëshmuar të të gjithëve që punojnë sot në sistemin e drejtësisë, tani kemi marrë në duart tona përgjegjësi që nuk i kemi pasur asnjëherë. Dhe pas bartjes së këtyre kompetencave tek institucionet vendase, përgjegjësia jonë është më e madhe ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, që të vendosim drejtësinë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke u nisur nga mandati kushtetues si president për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, e si përfaqësues i unitetit të popullit të Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë gjatë konferencës së sotme për shtyp se krimet e kryera gjatë luftës duhen zbardhur.

“Krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, shkatërrimet e pasurisë, veçanërisht ato të trashëgimisë historike e kulturore, presin ende të marrin përgjigjen e merituar nga drejtësia”, ka thënë Thaçi.

Në letrën e parë, presidenti Thaçi ka theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës. “Rastet e njohura, siç është masakra kundër familjes Jashari në Prekaz, masakra në Reçak, në Izbicë, në Abri të Epërme, në Krushë të Madhe, në Likoshan, në Mejë, në Dubravë, në Qyshk, në Lubeniç, në Grashticë apo kudo tjetër në Kosovë, duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në letrën e dytë, ai ka kërkuar t’u kushtohet vëmendje edhe krimeve serioze të kryera menjëherë pas lufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e disa personaliteteve publike, ndër të tjera.

Në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar vëmendje të veçantë për krimet monstruoze, siç ishin edhe përdhunimet e personave, veçanërisht i grave dhe vajzave, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999. “Kjo plagë është mbajtur mjaft gjatë në heshtje”, ka thënë ai. “Por falë guximit të grave dhe vajzave, viktima të këtij krimi, janë mbledhur mjaft informacione për të kuptuar peshën e rëndë të këtij akti kriminal. Për të gjitha këto krime, qytetarët e Republikës së Kosovës, familjet e tyre, por edhe e tërë shoqëria kosovare kanë nevojë për drejtësi”, ka thënë ai.

Ndërsa në letrën e katërt, presidenti Thaçi ka thënë se ka inkurajuar zyrën e kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet zbardhjes së të vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, fetare dhe historike.

“Sipas studimeve të shumta, mbi 200 objekte, apo thënë ndryshe mbi 40 për qind e objekteve të fesë islame dhe 5 kisha katolike, janë shkatërruar apo dëmtuar në mënyrë sistematike nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe. Po ashtu, edhe pjesë të trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, të rëndësisë së veçantë historike, janë dëmtuar pas luftës. E ndërsa jemi krenarë, që gjatë luftës asnjë objekt i kësaj trashëgimie nuk është cënuar, pas luftës ka pasur disa dhjetëra sulme dhe shkatërrime të tyre nga individë apo grupe kriminale”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në fund, presidenti Thaçi ka shprehur besim të plotë se organet e drejtësisë në Kosovë, me profesionalizmin, me përkushtimin dhe paanshmërinë e tyre, mund t’u japin përgjigje të gjitha këtyre çështjeve. Ai ka thënë se zyra e kryeprokurorit të Shtetit do të ketë mbështetjen e të gjithëve për këtë mision. Zbardhja e së vërtetës për këto raste, sipas presidentit Thaçi do të rezultonte edhe në fuqizimin e besimit të të gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Top Channel