LSI, Gjosha me strukturat në Pogradec: Angazhim maksimal për zgjedhjet

10/10/2016 00:00

E deleguara e Kryesisë së LSI në Pogradec, Klajda Gjosha zhvilloi këtë të hënë disa takime me strukturat drejtuese lokale të këtij qyteti, përfshirë ato të njësive administrative Buçimas dhe Udenisht.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua për zgjedhjet e 6 nëntorit, ku do të votohet për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe për delegatët që do të jenë në konventën zgjedhore të kësaj partie, nga ku do të dalë ekipi i ri drejtues në nivel kombëtar.

Në fjalën e saj, Gjosha u shpreh se angazhimi i strukturave duhet të jetë maksimal për të zhvilluar një proces organizativ transparent dhe konstruktiv.

“Këto zgjedhje duhet të jenë në funksion të përmirësimit të LSI-së, konsolidimit të saj si forcë politike duke pasur gjithmonë në fokus qytetarët që na kanë besuar deri tani, duke afruar sa më shumë të tjerë të cilët duan të jenë pjesë e asaj çka ne përfaqësojmë”, tha Gjosha.

Ajo u shpreh se suksesi i kësaj partie ka qenë pikërisht aftësia për të dëgjuar çdo familje e çdo qytetar të thjeshtë.

“Ne duhet ta forcojmë akoma më shumë këtë komunikim, duke e pasur çelësin e rritjes së LSI-së. Ne duhet të shohim nga e ardhmja, duke i dhënë zgjidhje problemeve, duke zhvilluar modele të mira për komunitetin. Vetëm kështu mund të bëjmë diferencën. Duhet një përfaqësim më i mirë dhe vetëm duke qenë të gjithë bashkë për LSI-në mund ta arrijmë këtë”, shtoi Gjosha.

Top Channel