Kolumbianet në festë pas Nobelit, brohorasin për Santos

08/10/2016 00:00

Nderimi i presidentit kolumbian Juan Manuel Santos me çmimin Nobel të Paqes, është pritur me entuziazëm nga qytetarët e këtij vendi që dolën nëpër rrugë për të festuar.

Komiteti norvegjez i Nobelit e vlerësoi Santosin për përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës më të gjatë civile në historinë moderne, edhe pse siç tha ekziston rreziku i dështimit të procesit të paqes, pas refuzimit të marrëveshjes së nënshkruar nga FARC në referendumin e së dielës. Duke përshëndetur mbështetësit e mbledhur jashtë pallatit presidencial mbrëmjen e së premte, Santosi i ngazëllyer dhe i lehtësuar, tha se vendi i tij duhet të hidhte hapin e radhës drejt vendosjes së paqes. 

“Kjo ngjarje, reagimi juaj më prek në thellësinë e zemrës. Ne do ta konsolidojmë paqen me të gjithë mbështetjen tuaj. Nuk duhet të dështojmë pasi na është dhënë një mandat i madh për të vazhduar përpara. Ju falenderoj shumë”, tha Santos.

Një turmë e vogël njerëzish u mblodh në sheshin qendror të Bolivarit në Bogota, me tollumbace të bardhë, flamuj të Kolumbisë dhe një shenjë ku lexohej “të bashkuar për paqen”.

Santos është i pari amerikano-latin që fiton Nobelin e Paqes që prej aktivistes indigjene. Rigoberta Menchu e Guatemalës në 1992 dhe është i dyti laureat kolumbian pas Gabriel Garcia Marquez, i cilit fitoi Nobelin për letërsinë në 1982-shin.

Top Channel