Jemen, sulmi ajror i koalicionit vret 82 persona; skena horror në Sanaa

08/10/2016 00:00

Një sulm ajror i koalicionit të drejtuar nga sauditët në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, ka vrarë 82 persona e ka plagosur më shumë se 500 të tjerë.

Sipas qeverisë së drejtuar prej rebeleve të etnisë Huthi, ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një ceremonie mortore.

Huthit janë në luftë me ekzekutivin e vendit të njohur ndërkombëtarisht që mbështetet prej Aleancës Ushtarake, kryesimin e së cilës e ka marrë në dorë Arabia Saudite.

Kryqi i kuq ndërkombëtar deklaroi se ka përgatitur 300 thasë të zinj të përdorur për trupat e pajetë. Qindra pjesë trupash të copëtuar janë gjetur brenda hollit të ndërtesës së goditur nga ajri.

Dëshmitarët okularë flasin për skena tmerri dhe një zonë të mbytur në gjak. Koalicioni vetë nuk ka bërë ende asnjë koment mbi ngjarjen.

Funerali ku ishin mbledhur njerëzit e kthyer në shënjestrën e bombardimeve ishte ai i babait të ministrit të Brendshëm huthi, Galal al Ravishan, një aleat i rebelëve dhe i ish-presidentit Ali Abdullah Saleh.

Top Channel