Basha: Fakte për kriminalizimin që Edi Rama i ka bërë shtetit shqiptar

08/10/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Pukë. Sipas kreut të PD-së, Puka është një ndër zonat që ka vuajtur më së shumti keqqeverisjen e Edi Ramës, mos mbajtjen e premtimeve, papunësinë në rritje dhe për pasojë emigrimin. Edi Rama në tre vite, theksoi Basha është faktuar si njeriu që e do pushtetin për vete dhe një grup miqsh të tij, duke u lënë si alternativë qytetarëve drogën dhe emigrimin.

“Për fatin e keq të Shqipërisë është provuar se Edi Rama, ky koalicion qeveritar prej ditës së parë e deri tani që po i vjen mbyllja e mandatit ka menduar vetëm për veten e vet, vetëm për xhepat e vet, vetëm për pasurimin e vet, vetëm për pushtetin e vet. Sepse një qeveri që erdhi me premtimin për 300 mijë vende pune dhe çoi 100 mijë shqiptarë refugjatë; Një kryeministër që premtoi shëndetësi falas dhe e futi në gjendjen më mesjetare, më të zezë, më të vobektë, më të korruptuar që ka parë shëndetësia në këto 26 vite; Një Kryeministër që premtoi rend dhe siguri dhe që shumëfishoi krimin, drogën, vrasjet, nuk është në gjendje të tregojë një punë konkrete që i vlen qytetarëve, por që i tregohen me gisht me dhjetëra afera korruptive është varrmihëse e shpresës”, deklaroi Basha.

Disa qytetarë denoncuan edhe qindra hektarë tokë të mbjellur me kanabis që thonë se janë nën mbrojtjen e policisë dhe pushtetarëve vendorë. Sipas kreut të PD-së, në 17% të territorit është 5-fishuar kultivimi i kanabisit në një vit. Nga 44.7 hektarë vitin e kaluar në 213.7 hektarë këtë vit, theksoi Basha duke shtuar se kjo është vepër e Al Kaponeve në qeveri, në bashkëpunim të ngushtë me kartelin e drogës, është alternativa e Edi Ramës.

“Edi Rama llomotit për orë të tëra por nuk thotë asgjë për krimin që mori pesë jetë njerëzish në dy ditë ndërkohë që ai rrihte gjoksin. Ministrit të tij i ishte trashur gjuha se iu kapën 21 tonë drogë. 21 tonë drogë janë akuza me fakte, për kriminalizimin që Edi Rama i ka bërë shtetit shqiptar. Është prova se demokratët, Partia Demokratike po thonin dhe thonë të vërtetën, që sipërfaqja e kultivimit është shumëfishuar dhe shtrihet anembanë Shqipërisë, si përgjigja e zezë, si alternativa e vetme që Edi Rama u lë fukarenjve që punojnë si skllevër sepse përfitimet i marrin një grusht njerëzish”, u shpreh Basha.

Top Channel