Mbetjet, Rama me ricikluesit, Nishani me ambientalistët

07/10/2016 00:00

Ricikluesit e mbetjeve dhe ekologjistët ishin në të njëjtën kohë të premten aty ku secili grupim beson se ka mbështetjen më të madhe.

Përfaqësuesit e industrisë së mbetjeve ishin me Kryeministrin, i cili ktheu në batuta akuzat se ishte paguar për rikthimine ligjit.

“Më keni dhënë edhe mua 4 milionë euro për të hapur këtë debat histerik”, deklaroi Kryeministri Rama.

“Do t’ua kërkojmë prap ato 4 milionë eurot. Sot të gjithë kanë nga 4 milionë euro kredi. Nuk jemi të pasur, biles kemi shumë borxhe”, u shpreh një përfaqësues i industrisë së riciklimit.

Përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Mbetjeve ishin tek Presidenti Bujar Nishani për t’i kërkuar mosdekretimin e ligjit.

“Tani loja është në tavolinën e Presidentit”, deklaroi aktivistja Kozara Kati.

“Morëm nga Presidenti integritetin e institucionit të tij me atë të zërit të ndjeshëm dhe të shqetësuar të qytetarëve”, tha ambientalisti Sazan Guri.

Në një njoftim zyrtar, Presidenti siguroi se nuk do të zhgënjejë interesin publik të qytetarëve, duke lënë të kuptohet se ai mund ta kthejë për rishqyrtim ligjin e mbetjeve. Por sidoqoftë, Kryeministri Rama tani është i përqendruar tek mbështetja e industrisë së riciklimit.

“Nëse nuk do të ndërmerrnim këtë hap do të shkonim drejt një humbjeje të madhe në disa plane. Do të humbisnim 234 milionë euro në teknologji, nëse nuk miratohej ligji. Shqipëria sot është më e pastër seç ishte 3 vjet më parë, por ende nuk është aq i pastër sa duhet”, tha ai.

Nga industria e riciklimit buxheti pritet të marrë 150 milionë euro më shumë dhe 1 mijë vende të reja pune.

Top Channel