Të gjithë e kanë parë korin e policëve të “Portokallisë” që me iso ironizonin fenomene e na bënin për të qeshur. Por pak e dinë se një grup policësh që këndojnë ekziston vërtet, madje kanë qenë frymëzimi për të krijuar rolet e aktorëve.

Ata janë punonjës policie në Drejtorinë e Qarkut të Vlorës dhe kanë një pasion të pashtershëm, këngën labe. Nëse i sheh në përditshmëri, Roberti, Kastrioti, Vullneti dhe disa kolegë të tjerë, ushtrojnë detyrën e punonjësve të policisë me shumë profesionalizëm.

Edhe pse pamja e një polici mund të duket disi e ashpër, ata këndojnë regullisht që nga viti 1993, duke u njohur si “grupi i policisë”.

Teksa i sheh me kostume popullore e ke të vështirë ta besosh se policët, jo vetëm që janë mjeshtra të polifonisë, por vlerësimet dhe çmimet brenda dhe jashtë Shqipërisë nuk kanë munguar.

Në raste gëzimesh apo festash, mblidhen për të kaluar momente mes miqsh dhe pasionit që nuk vdes kurrë për këngën.

Sot gëzimi ndërpritet nga një ngjarje e pa paralajmëruar, pasi ata nuk e harrojnë detyrën e parë.

Traditën e bukur duan ta kalojnë dhe tek fëmijët, për ta trashëguar si një vlerë të çmuar në mozaikun tonë kulturor. Paçka profesionit të parë, “grupi i policisë” e ka fituar tashme një emër.

Top Channel