Prezantohen makinat elektrike të Policisë së Shtetit

05/10/2016 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, prezantoi të mërkurën flotën e re të mjeteve të Policisë së Shtetit. 11 makinat elektrike, sipas ministrit, “do i kushtojnë shumë më pak buxhetit të shtetit dhe do jenë shumë më produktive nga pikëpamja e mbrojtjes së mjedisit, për sot dhe për të ardhmen”.

”Besoj se të gjithë e dini se nga pikëpamja infrastrukturore, buxhetore dhe teknologjike Policia e Shtetit ka qenë ndër trupat shtetërore më të prapambetura. Dhe veçanërisht në pikëpamjen e mjeteve bëhej fjalë për një situatë thuajse në prag katastrofe.  Nga njëra anë kjo ishte vështirësi më shumë për punonjësit e Policisë, të detyruar të punonin pa kushte e pa mjete. Nga ana tjetër ishte mungesë reale e kapacitetit për të bërë ashtu siç duhet detyrën. Por, mbi të gjitha ishte shpenzim buxhetor pak (për të mos thënë aspak) efektiv në balancën ndërmjet shërbimit që duhet të marrin qytetarët, punës që bëjnë punonjësit e Policisë, dhe pagesës apo buxhetit që merr Policia e Shtetit. Ne besojmë shumë fort që mënyra më e mirë për të rritur shërbimin e Policisë ndaj qytetarëve është duke forcuar kapacitetet e saj”, u shpreh Tahiri.

Top Channel