Meta pret ambasadorin e ri të Egjiptit

04/10/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Egjiptit në Shqipëri, Mohamed Khalil, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re. Meta vuri në dukje marrëdhëniet vëllazërore që ekzistojnë mes dy popujve tanë dhe nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

Njëkohësisht, Meta vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve ndërparlamentare dhe shprehu vullnetin për t’i intensifikuar ato, më konkretisht në të ardhmen e afërt. Ambasadori i Egjiptit në Shqipëri, Mohamed Khalil, pasi shprehu kënaqësinë e emërimit në Tiranë, theksoi se fokusi i punës së Ambasadës së Egjiptit do të jetë në thellimin e shkëmbimeve tregtare, bashkëpunimit në fushat e bujqësisë, turizmit, kulturës dhe arsimit, ku të dy vendet kanë potenciale të mëdha të pashfrytëzuara.

Në përfundim, Meta u shpreh se intensifikimi i kontakteve ndërparlamentare duhet t’i shërbejë rritjes së cilësisë së bashkëpunimit bilateral dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve tona mike.

Top Channel