“Materia e çuditshme” fiton Nobelin

04/10/2016 00:00

Çmimi Nobel në Fizikë për vitin 2016 shkoi për punën kërkimore dhe zbulimet e bëra në fushën e studimit të formave të pazakonta të materies.

Tre britanikët, David Thouless, Duncan Haldane dhe Michael Kosterlitz, që janë edhe pionerët në studimin e kësaj pjese të fizikës, do të ndajnë çmimin prej 1 milionë eurosh.

Në argumentimin e dhënies së çmimit, Komiteti i Nobelit thotë se këtë vit “u hapën dyert e së panjohurës”, referuar këtu punës kërkimore në fusha ende misterioze për sjelljen e materies dhe formës së saj në mjedise të ndryshme.

Studimi i formave të pazakonte të materies është cilësuar si tejet i rëndësishëm nga fizikantët, pasi kuptimi në detaj i tyre do të ndihmojë në të ardhmen në krijimin dhe prodhimin e materialeve të panjohura deri më tani.

Tre britanikët fitues të çmimit i bashkohen listës me 200 fizikantë që kanë fituar këtë çmim me punën e tyre që nga viti 1901.

Një vit më parë, Nobeli u nda mes shkencëtarit japonez, Takaaki Kajita dhe atij kanadezit Arthur McDonald për punën kërkimore në fushën e neutrinove, ndërsa në 2014, treshja japoneze Isamu Akasaki, Hiroshi Amano dhe Shuji Nakamura fituan këtë çmim për zhvillimin për herë të parë të diodave që emëtojnë drita blu.

Top Channel