Referendumi në Hungari, Komisioni Europian: Do ta kemi parasysh

03/10/2016 00:00

“Do ta kemi parasysh”. Komenti i Komisionit Europian pas rezultatit të referendumit hungarez mbi kuotat e emigrantëve, ishte i ftohtë, por korrekt.

Pothuajse të gjithë ata që dolën në votime të dielën e refuzuan sistemin europian të shpërndarjes së refugjatëve, megjithatë pjesëmarrja prej vetëm 43% ishte tepër e ulët për ta bërë votimin të vlefshëm, duke goditur kështu shpresat e një fitoreje të pastër me të cilën kryeministri Viktor Orban të sfidonte Brukselin.

“Nëse ligjërisht, referendumi do të kishte qenë i rregullt, atëherë komenti ynë do të ishte: do ta mbajmë shënim. Ligjshmëria e tij nuk u pranua nga Komisioni Zgjedhor Hungarez dhe ne sërish themi se do ta mbajmë parasysh. Ne e respektojmë vullnetin demokratik të popullit hungarez, si të atyre që votuan, ashtu edhe të atyre që nuk e benë një gjë të tillë. Besojmë se i takon qeverisë hungareze të vendose sesi do ta menaxhoje rezultatin e këtij referendumi kombëtar”, tha Margaritis Schinas, zëdhënës i Komisionit Europian.

Orban deklaroi më herët se do të amendojë kushtetutën për t’u siguruar që Hungaria nuk do të detyrohet nga Bashkimi Europian të pranojë emigrantë. Pas votimit, kreu i ekzekutivit u gjend nën një rrebesh kritikash të opozitës. Më e egra ishte Partia Radikale Nacionaliste, Jobbik që i kërkoi menjëherë dorëheqjen.

Referendumi ku 98,3% e zgjedhësve u shprehen kundër sistemit të kuotave, por pjesëmarrja nuk arriti dot pragun e 50 përqindëshit të nevojshëm, ishte sipas Jobbik një “fiasko” që e bëri kryeministrin e krahut të djathtë të duket një “lolo” në sytë e Brukselit.

Top Channel