Reali harron të fitojë, 1-1 me Eibarin

02/10/2016 00:00

Real Madrid harron të fitojë. Skuadra e Zinedine Zidane nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 1-1 ndaj modestëve të Eibarit në “Santiago Bernabeu”.

Ky është barazimi i katërt radhazi për Realin në të gjitha kompeticionet. Fitorja e  fundit në kampionat është ajo ndaj Espanyol që u arrit më 18 shtator, ndërsa sfidat që erdhën më pas, ndaj Villareal (1-1), Lasa Palmas (2-2) dhe Dortmund në Champions (2-2) përfunduan në barazim.

Miqtë shënojnë shumë shpejtë. Pas një krosimi të bukur të Ander Capa, Fran Rico shkëputet dhe me kokë shënon për të kaluar të tijtë në epërsi. 0-1 dhe tifozët tronditen në “Santiago Bernabeu”.

Mirëpo, barazimi nuk vonon, vetëm pas 10 minutash, Cristiano Ronaldo shfaq gjithë teknikën e tij dhe kroson në zonë, ku Gareth Bale kujdeset që të shënojë për 1-1.

Deri në fund të pjesës së parë, të dyja skuadrat kishin edhe nga një mundësi shënimi, por shifrat nuk ndryshuan. Në pjesën e dytë, Morata gjen rrjetën, por goli anulohet për shkak pozicioni të parregullt. Bale e Ronaldo tentuan sërish, por nuk arritën të shënonin.

Në fund, ndeshja mbyllet në barazim dhe Zidane rrezikon shumë. Sikur të mos mjaftonin këto, Reali humb edhe dy lojtarë Benzema e Varane të cilët u dëmtuan në këtë ndeshje. Pas 7 javësh, madrilenët kanë 4 fitore e 3 barazime dhe janë në kuotën e 15 pikëve.

Me fitoren 2-0 në transfertën ndaj Valencias, edhe Atletico Madrid shkon në kuotën e 15 pikëve dhe kalon Realin në renditje falë golaverazhit. Djemtë e Simeones gabojnë dy herë nga pika e bardhë, por arrijnë të fitojnë në fund falë golave të Griezman dhe Gameiros.

Top Channel