Sekretari i PPE-Bashës: Shpresojmë që në 2017 të kemi kthesën e duhur

01/10/2016 00:00

I pranishëm në Akademinë Politike të të rinjve demokratë, Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë të Partisë Popullore Europiane, Patrick Voller, theksoi mbështetjen e të djathtëve europianë për opozitën shqiptare.

“Shqipëria do të ecë përpara vetëm nëse luftohet më mirë korrupsioni, vetëm nëse ngrihet një sistem drejtësie i pavarur dhe vetëm nëse punohet vetëm për shtetin e së drejtës. Mirëpo, në këto drejtime ne shohim shumë mangësi nga qeveria aktuale dhe shpresojmë që me zgjedhjet e 2017 do të kemi kthesën e nevojshme dhe të kemi në krye të vendit dhe qeverisë Lulzim Basha”, thuhet në mesazhin e dërguar nga Voller dhe të shpërndarë nga zyra e Partisë Demokratike.

“Reforma Zgjedhore është një element shumë i rëndësishëm me qëllim që të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne nuk duam të kemi më kriminelë në lista dhe në këtë drejtim është pikërisht qeveria aktuale që duhet të bëjë punën më të madhe për ta ndrequr. E përsëris edhe njëherë, është detyra e qeverisë që të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të qeta në vitin e ardhshëm”, thotë mesazhi.

“Më lejoni tu përcjell përshëndetjet e përzemërta të PPE-së për anëtarin tonë, PD: I dashur Lulzim, Europa ka nevojë për ju. Ne jemi një skuadër dhe do t’u mbështesim gjithmonë. Jemi krenarë për ju dhe kemi nevojë për ju, por mbi të gjitha është populli shqiptar ai që ka nevojë për ju dhe i ka shpresat tek ju. Le të shfrytëzojmë edhe fuqinë dhe energjinë e freskët që sjell rinia. Vetëm së bashku do të jemi të fortë”, shton Voller në mesazhin dërguar kreut të PD-së.

Top Channel