Europa League, Balotelli shënon dhe humbet. Triumfon Zyrihu i Sadikut

29/09/2016 00:00

Europa iu shemb nën këmbë pikërisht në ditën kur Balotelli kishte “vendosur” ta rifitonte atë. Pavarësisht nga gripi që e shqetëson prej disa ditësh, e që e detyroi të zëvendësohej në pushimin midis pjesëve, Mario Balotelli shënoi golin e tij të parë europian me fanellën e Nisës, i pesti sezonal, me një të djathtë të bukur nga jashtë zonës.

Megjithatë, skuadra e tij nuk mundi të bënte më shumë në humbjen e thellë të pësuar në Rusi, ku u mposht 5-2 nga Krasnodari, – ekip që eliminoi edhe Partizanin nga faza e “play-off”-eve të Championsit, – kryesisht për shkak të gabimeve tepër foshnjërake në mbrojtjen e francezëve.

Nisa gjendet në fund të grupit me zero pikë në dy ndeshje, ndërsa rusët e Krasnodarit dhe gjermanët e Schalke 04 mbajnë dy pozicionet e para me nga 6 pikë secili. Schalke, nga ana e saj mposhti 3-0 Salzburgun. Një sipërmarrje thuajse e pamundur duket edhe për francezët kualifikimi, sikurse edhe për austriakët.

Në grupet e dy italianeve që luajtën në orën 19, Fiorentinës dhe Interit, PAOK-u i Selanikut mposhti me përmbysje Slovan Liberecin e Çekisë 2-1. Të parët shënuan çekët me Komlichenko, por një penallti e konvertuar në gol nga Athanasiadis, e më pas një gol i dytë me kokë prej tij vulosën 3 pikët për grekët. Sa i përket grupit të zikaltërve, Hapoel Beer Sheva rikonfirmoi se është një ekip i fortë. Mbajti më shumë zotërimin e topit dhe rrezikoi më shumë për të gjetur golin, krahasuar me anglezët e Southamptonit, megjithatë sfida përfundoi me rrjeta të paprekura, 0-0. Izraelitët kanë 4 pikë, ndërsa anglezët 1.

Marshimin me pikë të plota e vijon edhe Ajaksi i Amsterdamit, që mposhti 1-0 Standardin e Liezhit, sikurse dhe Shakhtar Donetsk, me fitoren e pastër 2-0 ndaj Bragës. Panathinaikosi i drejtuar nga Stramaccioni duket se ka diçka të përbashkët me Interin. Jo vetëm trajnerin, që dikur ka drejtuar zikaltrit, por edhe pozicionimin në fund të grupit me zero pikë pas dy ndeshjesh. Grekët nga Athina u mposhtën në fund nga Celta Vigo, që shënoi me Guidettin dhe Wass.

Villarreali i Bonerës, Sorianos, Sansones dhe Patos ndalet në barazim 1-1 nga Steaua e Bukureshtit, në të njëjtin grup ku Zyrihu i Armando Sadikut, por sulmuesi shqiptar nuk ishte i grumbulluar për shkak dëmtimi, mposhti 2-1 turqit e Osmanlisporit.

Prej orës 21:05 kanë nisur edhe ndeshjet e tjera të grupeve të Europa League.

Top Channel