“Tetori gjerman” në Shqipëri

28/09/2016 00:00

Tetori Gjerman apo i njohur ndryshe si “Deutsche October” ka mbërritur në edicionin e dhjetë të tij. Pas një dekade, ambasadorja e Republikës Federale Gjermane në vendin tonë, Susanne Schutz, tha se vazhdimësia e këtij aktiviteti qëndron në forcën që kultura ka, në bashkimin mes dy vendeve.

“Në thelb të “Tetorit Gjerman” qëndron një ide konkrete: Në duam të bashkojmë njerëzit nga vendet tona, të lidhim dhe të krijojmë rrjetë, e në rastin më të mirë, të mësojmë prej njëri-tjetrit. Përvoja ka treguar se kjo mund të arrihet mjaft mirë përmes rrugëve të kulturës, pasi kultura nuk mbërrin vetëm tek mendjet e njerëzve, por edhe tek zemrat e tyre”, u shpreh Susanne Schutz, Ambasadore e Republikës Federale Gjermane.

“Tetori Gjerman” do të nisë me shfaqjen “Nata arabe” në Teatrin e Metropolit mbrëmjen e 29 shtatorit, për te vijuar me ekspozita, koncerte e filma, ku nuk do të mungojnë edhe workshop-et në gjuhën gjermane.

“Ky jubile tregon se tanimë Tetori Gjerman është shndërruar në një tradite të mirëkonsoliduar këtu në Shqipëri. Krahas aktiviteteve klasike sikurse janë pjesët teatrale, muzikore, apo mbrëmjet e leximit, ky program do të ofrojë edhe diskutime rreth temave politike e shoqërore, si edhe aktivitete në qendër të së cilave do të jetë gjuha gjermane”, tha Ambasadorja gjermane.

Këtë vit, “Tetori Gjerman” do të kthehet në një vjeshtë gjermane, pasi aktivitetet do të zgjasin 7 javë, deri në mesin e muajit nëntor.

Top Channel