Kosovë, Thaçi mbështet bashkëpunimin e odave ekonomike të rajonit

28/09/2016 00:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur këtë të mërkurë një delegacion të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Asociacionit të Odave Europiane të Ekonomisë dhe Industrisë, “Eurochambres”, Arnaldo Abruzzini.

Në delegacionin bënin pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, si dhe kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, me të cilët Thaçi bisedoi për arritjet në bashkëpunimin ekonomik rajonal.

Presidenti Thaçi u shpreh se ekonomia është çelës për paqen dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

“Ka ikur koha e nacionalizmit. Qytetarët duan paqe, zhvillim, mirëqenie”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i “Eurochambres”, Abruzzini theksoi se bashkëpunimi rajonal është kyç për zhvillimin dhe e përgëzoi presidentin Thaçi për arritjet e Kosovës dhe rajonit në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se institucionet shtetërore të Kosovës mbështesin nismat për bashkëpunim ekonomik rajonal dhe inkurajoi thellimin e këtij bashkëpunimi.

Top Channel