Çfarë pret Alban Skënderaj nga “The Voice”?

28/09/2016 00:00

Pas Miriam Canit, karrigen e kuqe të “The Voice” do ta provojë edhe bashkëshorti, këngëtari i njohur Alban Skënderaj. Ai është zyrtarisht një prej trajnerëve të “The Voice of Albania 6” dhe për herë të parë, ka folur mbi këtë angazhim të ri.

Në një intervistë për programin e mëngjesit “Wake Up” në Top Channel, Skënderaj ka thënë se ndjehet i lumtur.

“Mendoj se për aq sa të ofron tregu shqiptar, “The Voice” është një kulminacion. Është një kënaqësi e madhe, një eksperiencë e bukur, që të rrit si artist, ashtu edhe si njeri. Jam i sigurt që kjo përvojë do të shkojë shumë mirë, duke nisur që nga stafi, me të cilin ndajmë mentalitet të njëjtë. Kjo për mua vlen shumë, pasi pavarësisht roleve tona, është një punë kolektive që kërkon vizion të përbashkët”.

Skënderaj është ndalur edhe tek karakteristikat që duhet të ketë sipas tij më i miri i “The Voice”.

“Ne jemi një popull i vogël, por me shumë talente. Kam dëshirë të zbuloj të rinj që kanë atë gjënë e veçantë, që sot është e rëndësishme tek një artist, për ta bërë që të veçohet nga të tjerët. Unë do kërkoj atë që ka një stil dhe zë unik, që është më i kompletuar, jo vetëm nga zëri por edhe nga gjithçka tjetër. Për mua do ketë shumë rëndësi edhe karakteri i artistëve. Do përpiqem t’i njoh edhe si njerëz, pasi edhe kjo gjë e bën diferencën”.

Ai ka shtuar se Miriami ka ndikuar shumë që t’i thoshte po propozimit të drejtuesve të “The Voice of Albania 6”.

Alban Skënderaj u rikthye në majat e klasifikimeve këtë vit dhe realizoi koncerte të shumta në Shqipëri e Kosovë. Vetëm vitin e fundit ai ka publikuar disa hite, si: “Unë dhe ti”, “Duart lart”, “Kam nevojë” dhe “Ëngjëll”.

“Artistin mashkull të vitit” nga “Top Awards”, së shpejti do ta shihni në kërkim të zërit më të mirë shqiptar.

Top Channel