BB: Shqipëria po ecën mirë. Rritja ekonomike u forcua, borxhi u ul

27/09/2016 00:00

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe Banka Botërore ka bërë publike vlerësimet e saj mbi ecurinë e ekonomisë.

“Nëse do të vlerësoja performancën e ekonomisë shqiptare do të thoja që po, është e kënaqshme. Nëse shikon treguesit bazë dhe ambientin ekonomik në rajon shihet që Shqipëria ka një trajektore pozitive të rritjes ekonomike dhe punësimit. Këta janë dy tregues kyç”, deklaroi Taseen Sayed, drejtoreshë e BB.

“Rritja ekonomike është përshpejtuar dhe varfëria është ulur. Ne presim që rritja për këtë vit të jetë 3.5 për qind, e mbështetur nga rritja e konsumit privat”, sqaroi më tej Hilda Shijaku, ekonomiste pranë degës së BB në Tiranë.

Banka pret që rritja ekonomike të forcohet në 3.5% vitin tjetër, ndërsa borxhi publik të ulet më tej, teksa Serbia dhe Shqipëria janë vendet me uljen më të madhe të defiçitit buxhetor në rajon. Por ajo i tërheq vëmendjen qeverisë për rritjen e kredive të këqija.

“Ne rekomandojmë zbatimin e planit kombëtar për kreditë e këqija, veçanërisht dy pikave. Ndryshimin e ligjit për përmbarimin privat dhe së dyti i sugjerojmë autoriteteve të zgjidhin çështjen e 35 kreditorëve të këqinj më të mëdhënj, të cilët kanë gjysmën e kredive të këqija. Kjo është kritike”, nënvizoi Sayed.

E pyetur nga gazetarët, shefja e Bankës në Tiranë komentoi edhe dhunimin fizik të biznesmenit libanez Fadi Mitri. “Incidenti ishte fatkeq. Ne presim që qeveria të vazhdojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe në të njëjtën kohë të trajtojë çdo ankesë të investitorëve që janë duke investuar sakaq në Shqipëri”, shtoi Sayed.

Banka evitoi komentet për ndryshimin e fituesit në tenderin e rrugës Durrës-Kukës, ndërsa mbështeti projektin e Ministrisë së Financave për një amnisti fiskale.

Top Channel