“Xhungla” në Calais, Hollande: Do ta mbyllim përgjithmonë

26/09/2016 00:00

Xhungla e Calais (Kalèsë) është kthyer në një gangrenë të tillë për qytetin-port, sa gjatë vizitës së tij atje, Presidenti francez Francois Hollande premtoi me të madhe mbylljen e plotë dhe të përhershme të saj.

Shefi i Elizesë ka në axhendë takime me krerë të policisë, autoritetet portuale dhe politikanë të zonës, por në kamp nuk do të hyjë.

“Ne duhet ta heqim një herë e mirë kampin e Calais. Është një operacion i jashtëzakonshëm, sepse e tillë është edhe situata me të cilën përballemi. Duhet t’i shkojmë deri në fund me vendosmëri dhe në mënyrë sistematike, por duke mos e humbur njëkohësisht ndjenjën e humanizmit, në kohën kur realizojmë shpërnguljet”, tha Francois Hollande, President i Francës.

Objektivat tanë janë të qartë, shtoi Hollande, duke numëruar aty garantimin e sigurisë së banorëve të Calais, ruajtjen e rendit publik, si dhe faktin që emigrantët e refugjatët të jetojnë në kushte dinjitoze, sepse janë në Francë.

Fati i 10 mijë personave që jetojnë në këtë kamp është kthyer në temë qendrore të fushatës presidenciale të vendit. Hollande kujtoi se, fakti që Britania e Madhe vendosi të shkëputej nga Bashkimi Europian nuk e çliron atë nga detyrimet që ka ndaj Francës, ndaj dhe i kërkoi Londrës të bëjë pjesën që i takon në menaxhimin e krizës.

Shumica e emigrantëve të Calais jetojnë në kampin e saj në kushte skandaloze, ndërsa shpresat e pjesës dërrmuese të tyre janë që të hyjnë ilegalisht në Angli me kamionët që kalojnë me tragete La Manshin.

Top Channel