Aleppo, ushtria siriane: Pas sulmeve ajrore, edhe ofensivë tokësore

23/09/2016 00:00

Dita e premte ka vijuar të shënojë sulme të rënda ajrore mbi zonat e Aleppos të kontrolluara nga rebelët, teksa ushtria siriane e mbështetur nga Rusia deklaroi ofensivën e radhës për të rimarrë plotësisht kontrollin e qytetit më të madh sirian. Shpresa për të rikthyer armëpushimin tashmë duket jo e venitur, por e shuar.

Rezidentë lokalë thanë se rrugët janë kthyer në një shkretëtirë të vërtetë, pasi rreth 250 mijë njerëz vijojnë të jenë të bllokuar në rajonin lindor të Aleppos nën kontrollin e rebelëve, në kërkim të strehave për t’u shpëtuar bombardimeve të avionëve qeveritarë. Ushtria siriane njoftoi se operacioni mund të përfshijë edhe një sulm nga toka, e për këtë arsye mund të zgjasë disi.

Rebelët dhe Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut kanë shpjeguar se bombardimet vijnë nga avionë luftarakë që duket se i përkasin rusisë. Ata folën edhe për sulme ajrore me helikopterë, të cilët kanë përdorur bomba të përbëra nga fuçi nafte, një taktikë e përdorur zakonisht nga ushtria siriane.

Bombardimet intensive të ditës së sotme, që janë në vazhdën e atyre të një dite më parë, më të rëndat që pas shkeljes së armëpushimit, kanë lënë të kuptohet pa asnjë dyshim se qeveria siriane e presidentit Bashar al-Assad dhe aleatët e tij rusë kanë refuzuar lutjen e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, për të ndalur fluturimet, në mënyrë që të mund të hapen rrugët për ndihma humanitare dhe të ringjallet shpresa për armëpushim. Paqja e përkohshme njëjavore u shkel të hënën e kësaj jave.

Një burim ushtarak nga Siria bëri të ditur gjatë ditës së sotme se ofensiva e re do të jetë “gjithëpërfshirëse”, duke nënkuptuar këtu edhe një sulm në terren, të shoqëruar me bombardime nga ajri dhe sulmin me artileri të rëndë. “Besoj se sulmet do të vijojnë për pak kohë”, tha ai.

Ende nuk ka një koment zyrtar nga ushtria ruse apo ajo siriane që të informojë në mënyrë të detajuar mbi sulmet ajrore të së premtes.

Top Channel