Tiranë, përfundon rikonstruktoni i kopshtit te Bregu i Lumit

23/09/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe deputeti i Partisë Socialiste, Rakip Suli, vizituan ambientet e rikonstruktuara të kopshtit “Pinoku” në zonën e Bregut të Lumit, i cili frekuentohet nga rreth 180 fëmijë, 33 prej të cilëve vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian.

“Nëse do sillnim dikë me sy të mbyllur te Bregu i Lumit dhe të shikonte këtë kopësht, nuk do e kuptonte dot që ky është një kopësht në periferi, sepse është i njëjtë me një kopësht në qëndër të Tiranës. Kemi arritur në një ditë të mirë për Tiranën, ku po punojmë me të njejtin standard e cilësi si në infrastrukturë, ashtu edhe në mësimdhënie”, tha Veliaj.

Duke konfirmuar se bashkia do të mbajë premtimin për rikonstruktimin e 23 kopshteve në qytetin e Tiranës, Veliaj theksoi se e rëndësishme është se nëpërmjet punimeve dhe shërbimit që ofrohet në këto institucione nuk ka diferencë mes qendrës dhe periferisë.

“E di se ky është një komunitet kryesisht informal, me fëmijë nga komuniteti rom dhe egjiptian, por besoj se në Tiranë duhet t’u japim një shans të barabartë gjithë fëmijëve. Ngjyra e lëkurës nuk duhet të jetë arsye për të qenë pengesë që një fëmijë të jetë i suksesshëm. Kjo është Tirana që ëndërroj unë dhe besoj se ky është edhe vizioni juaj dhe i të gjithë edukatoreve që punojnë në çerdhe e kopshte”, theksoi Veliaj.

Më tej, ai shtoi se bashkia është e vendosur që tanimë kur puna me kopshtet po mbyllet, prioritet do të kenë shkollat dhe pjesa tjetër e infrastrukturës urbane, siç janë rrugët, lulishtet apo hapësirat çlodhëse.

“Sot jemi në fazën ku po punojmë për riparimin e brigjeve të lumit për shmangien e përmbytjeve, duke qenë se po afrojmë në kohën e shirave, ku moti nuk është aq bujar me ne. Megjithatë, tani që kemi zgjidhur prioritetin e fëmijëve, mund të fokusohemi edhe te ndërhyrjet në infrastrukturë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Top Channel