Sezoni ri nis me “Carmina Burana”

22/09/2016 00:00

Sezoni i ri në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të nisë këtë fundjave me një rivënien në skenë të baletit “Carmina Burana”. Për drejtuesen e re të këtij institucioni, zonjën Zana Çela, nisja me një premierë ishte një gjë e vështirë, në kushtet kur sipas saj Teatri i Operës ishte pa një kalendar të përcaktuar dhe me një buxhet të limituar.

“Kjo vepër është zgjedhur sepse është vepër që unifikon stafin. Nuk mund të flasim dot për premiera, sepse kur erdhëm nuk gjetëm kalendar, çdo teatër në botë bën planifikim 6 mujor, ndaj edhe kaq sa bëmë është shumë.  Sigurisht që do të kemi premiera, por duhet të bëjmë durim, sepse varemi nga buxheti”, shprehet Zana Cela, drejtore e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Çela tha se nen drejtimin e saj cilësia e lartë artistike do të jetë kriteri kryesor mbi bazën e së cilës do të përzgjidhen pjesët që do të vendosen në skenë, shqiptare apo të huaja qofshin. Niveli i lartë do të bëjë që të përthithet edhe audienca e munguar.

Çela njoftoi gjithashtu se në janar, kur të nisë edhe rikonstruksioni i godinës, artistët do të zhvendosen në skenat e rretheve duke e çuar artin më pranë tyre, por edhe grumbulluar të ardhura për institucionin.

Top Channel