Ronaldo, ‘fenomeni’ 40 vjeçar

22/09/2016 00:00

Askush nuk e di se çfarë mund të kenë menduar mamaja Sonia dhe babai Nelio në 22 shtatorin e vitit 1976, ekzaktësisht 40 vjet më parë, kur erdhi në jetë Ronaldo. Natyrisht që çdo prind e përfytyron në mendjen e tij të ardhmen e fëmijëve. Ndoshta kanë menduar ta bëjnë avokat. Ndoshta mjek, si Ronaldo Valente, doktori që asistoi në lindje dhe për ndër të tij mori emrin.

Mbase nuk e kanë menduar edhe se i biri mund të bëhej një prej futbollistëve më të jashtëzakonshëm që historia e sportit ka njohur. Ndoshta kanë ëndërruar që mund të bëhej edhe futbollist, pse jo. Por jo kështu, pasi si ai nuk ka qenë askush më parë. Ndoshta edhe më pas.

Sepse Luis Nazario da Lima nuk ka qenë asnjëherë një futbollisti thjeshtë, që kurse nisi të hedhë hapat e parë, duke shkelmuar topin në rrugët e Bento Ribeiro, në zonën veriperëndimorë të Rio de Janeiro. Nuk ishte pagëzuar ende me emrin “Fenomeni”, por Ronnie që fëmijë arrinte të bënte veprime të jashtëzakonshme. Dhe ishte vetëm çështje kohe kur u nuhat potenciali i tij i jashtëzakonshëm dhe jo rastësisht e zbuloi një bankier i njohur.

“Gjeta një copës ari”, tha Alexander Martins në atë kohë. Kur pa që ai driblonte fëmijë që kishin dyfishin e moshës së tij u zhyt në këtë çështje, së bashku me ortakun e tij dhe blenë kartonin duke e transferuan te Cruizero.

Që nga ky çast nisi rrugëtimi i “Fenomenit R9”, që tanimë është i dokumentuar në librat e historisë dhe mendjen e tifozëve. Rrugëtimi nis nga Holanda me PSV Eindhoven, për të kaluar më pas te Barcelona, Inter, Real Madrid dhe Milan.

Teksa shfleton historinë në faqet e saj gjen trofe të pafundmë, gjen edhe Kupën e Botës, Topin e Artë, dëmtime të dhimbshme dhe pjesën më të bukur, golat.

Por titujt dhe numrat nuk vlejnë në rastin Ronaldo. Nuk vlejnë statistikat për të shpjeguar se çfarë ka qenë ky futbollist për të gjitha gjeneratat. Se kush ka qenë Ronaldo i vërtetë e dinë vetëm shokët e skuadrave ku ai ka luajtur. “Nuk ka për të qenë një futbollist më i mirë se ai”, ka thënë Zlatan Ibrahimoviç. “Ishte i pamarkueshëm. Në lëvizjen e parë të kalonte, në të dytën të eliminonte, në të tretën të turpëronte. Një jashtëtokësor”, deklaron Fabio Cannavaro.

Por në të vërtetë këtë e dinë të gjithë ata që e kanë parë dhe kanë ndjerë atë që ai dinte të bënte, me ato gjarpërimet dehëse, ato shpërthimet rrufe dhe padyshim ato gola jashtë çdo logjike. Sot fenomeni i vërtetë i futbollit mbush 40 vjeç. Dhe nëse kohët e fundit keni dëgjuar që pas fjalës Ronaldo t’ju thonë cili prej të dyve, kjo do të thotë që memoria e gjeneratave konsolidon legjendat.

FOTO GALERI
1/18

Top Channel