Zbuten gjobat për biznesin. Qeveria jep mundësi për vetëkorrigjim

21/09/2016 00:00

Zbutja e masave ndëshkuese nis nga bizneset që kapen të paregjistruara. Sipas draftit të ri të procedurave tatimore, ndëshkimi për këto biznese nuk do të jetë më mbyllja automatike, por ato do të detyrohen që të regjistrohen.

Për bizneset që nuk deklarojnë punonjësit, gjoba ulet nga 500 mijë lekë për të gjitha bizneset siç është aktualisht, në 200 mijë lekë për biznesin e madh dhe 50 mijë për atë të voglin. Nuk do të ketë as gjoba për punonjësit e familjes dhe nuk dot të ketë as ndjekje penale për këto biznese.

Edhe për mosdhënie të kuponit tatimor ndëshkimi do të zbutet. Gjoba do të ulet nga 200 mijë lekë aktualisht në 50 mijë lekë. Kur biznesi që nuk lëshon kupon është i madh dhe bën pjesë në skemën e TVSH-së, ai kalon në rivlerësim për 3 muaj dhe në rast se moslëshimi i kuponit është i përsëritur, shkelja klasifikohet “evazion tatimor”. Paralelisht, emrat e këtyre bizneseve do të publikohen në listën e zezë në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në projektligjin e ri, Ministria e Financave detyron Tatimet që për çdo kontroll tatimor të njoftojnë biznesin të paktën 30 ditë përpara. Pas marrjes së njoftimit, biznesit i lind e drejta të deklarojë transaksionet që mund të ketë fshehur, pa u ndëshkuar, me kushtin që ky deklarim të kryhet para se të fillojë kontrolli.

Do të lehtësohet edhe procedura e mbylljes së bizneseve dhe do të hiqet detyrimi për të dorëzuar deklaratë tatimore për bizneset  që kanë status pasiv në QKR.

Top Channel