Strakosha rrëfen emocionet në debutimin ndaj Milanit

21/09/2016 00:00

Prej vitesh është pjesë e skuadrës së Lazio-s, por mbrëmjen e së martës, Thomas Strakosha debutoi në Serie A dhe në një stadium si “San Siro” ndaj Milanit.

Pësoi dy gola në këtë takim debutues, por sërish ishte një ndër më të vlerësuarit për ekipin e tij. Si paraqitje e parë mund të vlerësohet si pozitive. Portieri 21-vjeçar, djali i legjendës Foto Strakosha, foli pas ndeshjes duke u shprehur mjaft i lumtur për debutimin, por sigurisht jo për rezultatin e ndeshjes.

“Jam shumë i kënaqur për debutimin por rëndësi kishte rezultati dhe nuk jam i lumtur për shkak të humbjes. Falënderoj trajnerin dhe klubin që kanë besuar tek unë. Ishte një ndeshje shumë emocionuese, por kur humbet të mbetet një shije e keqe. Duhet të vazhdoj të punoj dhe të shikoj përpara me besim. Inzaghi ka shumë pasion por ne gabuam shumë edhe pse kam besim te ekipi. Fola me familjen time përpara ndeshjes dhe ishin që të gjithë shumë të lumtur”, tha Strakosha për Supersport.

Edhe pse shumë kilometra larg, Foto Strakosha e ka përjetuar debutimin e të birit me emocione dhe krenari. Portieri i Lazios rrëfen më tej një moment interesant.

“Komunikova me të në telefon dhe mund të them që ishte më i stresuar se sa në periudhën kur luante vetë. Mund të them se kam kaluar momente shumë të vështira në aspektin psikologjik dhe kjo ishte ndeshja më e vështirë për mua. Tani duhet të shikojmë përpara dhe nuk ka aspak rëndësi nëse konsiderohem portier i dytë apo i tretë. Unë jam i fiksuar te stërvitja dhe dua të bëj një rrugë të gjatë në të ardhmen”, u shpreh portieri i 21 vjeçarëve të Shqipërisë.

Si për ironi të fatit, ishte largimi i Etrit Berishës nga Lazio që krijoi kushtet e duhura për debutimin e Strakoshës te Lazio.

Top Channel