“Kromi” shqiptar, drejt çmimeve “Oscar”

20/09/2016 00:00

Pavarësisht se Bujar Alimani është nën ethet e “Oscar”-ëve, ai nuk ka kohë për intervista klasike, por preferon të flasë duke ecur për në punë. Filmi i tij “Krom” do të nisë garën për “Oscar”. Ai do të përfaqësojë Shqipërinë në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.

Historia e një nëne memece në Bulqizë, që detyrohet të rrisë e vetme fëmijët pas humbjes së bashkëshortit, bën bashkë mbijetesën, provincën, kontradiktat dhe kërkon thelbin e njeriut. Bujar Alimani, në vrapimin e një dite të zakonshme pune rrëfen për Top Channel rrugëtimin e “Krom”.

TCH: “Krom” është një film që përmban brenda dashurinë, kërkimin, pyetjen. CIli mendoni se ishte elementi më identifikues që e bëri përzgjedhës për konkurrim në “Oscar”?

Bujar Alimani: E ka mbyllur rrethin e 15 festivaleve, bashkë me atë të Aleksandrisë në Egjipt. Në Otranto ka marrë çmimin e kritikës. Mendoj se kjo e ka bërë filmin të jetë i mundshëm për të përfaqësuar Shqipërinë në garën e “Oscar”-ëve.

TCH: Mendon se i ka dhënë pikë fakti që është një bashkëpunim ndërkombëtar, përfshi këtu Gjermaninë dhe Greqinë. Pa dashur të jem paragjykuese në këtë pyetje, por mos vallë kanë “shkopin magjik” këto lloj bashkëpunimesh?

Bujar Alimani: Absolutisht, nuk ecet sot me një prodhim tërësisht lokal.

TCH: Ka pasur sugjerime se filmi mbase mund të ndahej në dy pjesë. Mendoni se është sugjerim i drejtë?

Bujar Alimani: Nuk e kam menduar këtë gjë te “Kromi”. Për më tepër që në këtë film, në krahasim me “Amnistinë”, jam përqëndruar më tepër te personazhet. Te drama e atij 15-vjeçari.

TCH: “Krom” është më së shumti një film autor. Por vet Bujari, çfarë kërkon t’i ofrojë botës dhe audiencës nëpërmjet këtij filmi? Dhe, cila është bota e tij që shpërfaq në “Krom”?

Bujar Alimani: Aty ka një çështje inçesti brenda. Sesa e pranon një djalë në rritje, praninë e të dashurit të nënës në shtëpi. Një gjë jo fort e zakonshme për filmin shqiptar, por edhe për temat që ne trajtojmë. Thjesht ne ndodhemi mes dilemave, nuk japim përgjigje.

Top Channel