71 milionë euro për bujqësinë, qeveria shqiptare dorëzon aplikimin pranë KE-së

20/09/2016 00:00

Qeveria shqiptare ka dorëzuar sot pranë Komisionit Europian aplikimin për përfitimin e grantit prej 71 milionë eurosh për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Autoriteti Menaxhues në Ministrinë e Financave dhe Autoriteti Zbatues në Ministrinë e Bujqësisë, kanë dorëzuar sot pranë Komisionit Evropian, kërkesën për marrjen e detyrave të Zbatimit të Buxhetit për programin IPARD 2014-2020. Ky program ka si synim të mbështetesë fermerët, sipërmarrjet ekonomike bujqësore, stabilimentet e përpunimit ushqimor, personat fizik ose juridik, mikrobizneset dhe sipërmarrjet e vogla private jo-bujqësore të kryejnë investime për prodhimin dhe përpunimin në sektorin e qumështit, të mishit, fruta-perimeve, bimëve të mbrojtura dhe vreshtave. 

Gjithashtu, programi synon të mbështesë investimet në akuakulturë, turizëm natyror dhe rural dhe prodhim të energjisë së rinovueshme.

Në përfundim të këtij programi parashikohet të mbështeten afërsisht 2055 projekte investimi dhe do të krijohen rreth 800 vende pune. Zbatimi i programit parashikohet të fillojë në vitin 2017.

Top Channel