PD: Rama, hipokrizi me të rënët. Kanabizimi, rreziku më i madh për vendin

20/09/2016 00:00

Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji e ka quajtur një veprim hipokrit përurimin e murit të kujtesës pranë Ministrisë së Brendshme nga kryeministri Rama.

“Edi Rama përuroi dje murin e kujtesës për policët e rënë në krye të detyrës, ndërkohë që ka bërë deputetë, kryetarë bashkie, drejtorë e shefa të rëndësishëm trafikantët, tutorët, vrasësit e banditët, pikërisht të inkriminuarit me të cilët dëshmorët e policisë kanë luftuar”, ka deklaruar Salianji.

Ai është shprehur se, “nuk ka armik më të madh për policinë se një kryeministër që vesh krimin me pushtet e që ndan pushtetin me krimin”.

“Para se të kryente këtë akt hipokrizie, Edi Rama ishte në Pukë. Ne kemi disa pyetje sot, që i kanë të gjithë banorët e asaj zone në fakt; a ka qënë kryetari i tij i Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj i akuzuar për tentativë vrasje ndaj shtetasit Gj.N, në vitin 1997? A ka qënë po ky kryetar i Ramës, i dënuar për kontrabandë në Lezhë? A ka dijeni Rama që zona Luf-Qerret, ku Edi Rama ishte bujtës në kafen e Arben Frrokut është e mbushur me kanabis dhe ruhet nga shoferi i kryetarit të Bashkisë? A ka dijeni Rama që e gjitha kjo bëhet nën kujdesin e nën mbrojtjen e shefit të komisariatit Hamdi Shullani?”, ka thënë Salianji.

Ai ka shtuar se, “ndërkohë që Edi Rama luante teatër me policinë dhe të rënët në krye të detyrës, mediat raportonin se eskobari i Ballkanit, Klement Balili festonte në një dasmë në Sarandë”.

“Feston i kërkuari nga policia e gjysmës së Europës dhe DEA amerikane, se ka mbrojtjen e Edi Ramës. Ky inkriminim i pushtetit, kjo mbrojtje e krimit, ky kanabizim i vendit është armiku më i madh i policisë dhe i shqiptarëve. Është koha që shqiptarët të bashkohen e të mbrojnë vendin, të mbrojnë të ardhmen e tyre nga krimi, nga bandat, nga trafikantët, nga karteli i drogës së Edi Ramës. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Salianji.

Top Channel