PD ikën nga komisioni, opozita braktis diskutimet për ligjin e institucioneve

19/09/2016 00:00

Mazhoranca do ta miratojë e vetme ligjin voluminoz prej 198 nenesh për 4 organet e reja dhe më të rëndësishmet e sistemit të drejtësisë. Opozita e braktisi komisionin e reformës pas 3 orë debatesh tek neni 3.

“Dolëm nga komisioni sepse me këtë votim sot është i kot çdo lloj debati për sa kohë thyhet konsensusi dhe Kushtetuta haptazi”, u shpreh Bylykbashi.

Mosmarrëveshja qëndron tek formulimi sesi përzgjidhen 10 anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kjo është çështja për të cilën u negociua deri në mbrëmjen e vonë të 21 korrikut, por sipas Partisë Demokratike mazhoranca ka vendosur në ligj formulimin e vjetër, me organe filtruese për kandidatët që vijnë nga avokatia dhe profesorati, me qëllim kontrollin politik të anëtareve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

“Kërkojnë që nëpërmjet instrumentave të tyre të dërgojnë emra të caktuar dhe kuvendi të jetë vetëm një votues i këtij vullneti politik të kontrolluar. Atë që deshën ta bënin dikur dhe e rrëzoi marrëveshja politike, atë kërkojnë të bëjnë sot. E miratuan”, tha Oerd Bylykbashi.

Mazhoranca nuk e pranoi këtë argument duke iu referuar të drejtës që i jep kushtetuta për kritere shtesë.

“Ne sot kemi respektuar gërmë për gërmë nenin 147, pika 3 e Kushtetutës dhe nuk ka asnjë devijim nga Kushtetuta që në kemi votuar, u shpreh deputeti i PS, Ulsi Manja.

“Përfaqësuesit që do të përzgjidhen dhe do të vijnë për votim në Parlament, duhet të kalojnë patjetër filtra, ku do të jenë përfaqësues realë, pedagogëve, avokatëve dhe kurrsesi nuk mund të jenë nën titullin e tyre personal”, tha Vasilika Hysi, deputete e PS.

Partia Demokratike thotë se ligji për 4 organet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë ka 11 shkelje të ngjashme të Kushtetutës, por deri tani nuk ka marrë një vendim, nëse do të kthehet sërish në komisionin e reformës.

Top Channel