Ilir Meta: Haxhi Selim Muça, shembull i punës, fjalës dhe besimit

18/09/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ngushëlloi familjarët, të afërmit dhe miqtë e Haxhi Selim Muçës, ish-kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, i cili u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare.

“Me hidhërim të thellë mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të Haxhi Selim Muçës. Haxhi Selim Muça ishte një nga pionierët që punuan fort‎ e me përkushtim për ringritjen e besimit mysliman në Shqipëri. Duke nisur që nga fillimet e viteve ‘90, duke vazhduar me detyrat e ndryshme që ka mbajtur në strukturën e komunitetit mysliman e deri në Kryesinë e tij si kryetar, Haxhi Selim Muça ka qenë një shembull për t’u kujtuar i punës, i fjalës dhe i besimit. Kohët e ndryshimeve të mëdha kanë nevojë për njerëz të mëdhenj. Haxhi Selim Muça ishte një njeri që madhështinë e gjente tek besimi dhe përkushtimi në besim. Ikja e tij ka dëshpëruar të afërmit dhe familjarët e ngushtë, miqtë e bashkëpunëtorët e tij të shumtë, ‎sepse është ikja e një njeriu të mirë. Komuniteti Mysliman, besimtarët myslimanë,pordhe miqtë e shumtë të të gjitha besimeve, do ta ndjejnë mungesën e tij.‎ Ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë ata. Ngushëllimet më të ndjera për familjarët e tij të afërt!”

Top Channel