Dokumentari i Rolling Stones

17/09/2016 00:00

Pas grupit Beatles, i takoi atyre të Rolling Stones të ofrojnë një shikim prapa kuintave të koncerteve të tyre me dokumentarin e realizuar mbi turneun e fundit të grupit legjendar në Amerikën Latine.

Ishte hera e parë ëe dhjetë vjet që veteranët e rokut zbrisnin në këtë rajon. Angazhimi i tyre me adhuruesit e apasionuar u dokumentua hap pas hapi në një seri vendesh ku muzika e këtij grupi dikur ka qenë e ndaluar.
 
“Është e çuditshme, por mbase ekziston ndonjë lloj tërheqjeje. Ndoshta kështu ndodh kur kërkon të shtypësh diçka, dëshira bëhet akoma më e fortë”, deklaroi Keith Richards.

Xhirimet e “The Rolling Stones Ole Ole Ole!: Një udhëtim përmes Amerikës Latine”, janë realizuar në periudhën shkurt-mars. Filmi me regji të Paul Dugdale ndërthur pamje të koncerteve në Peru, Kolumbi, Brazil e gjetkë me intervistat e realizuara me pjesëtarët e grupit, fansat dhe menaxherët që po planifikonin ndërkohë edhe koncertin falas në Kubë.
 
“Ishte një nga ato raste kur shkruhet historia, e dini, një mënyrë për t’u hapur ndaj njerëzve. Ishte gjë shumë e mirë për ne, padyshim, por më shumë rëndësi pati për ata”, tha Ronnie Wood.
 
Në një moment, grupi u detyrua të ndryshonte datën e koncertit në Havana kur presidenti amerikan Obama njoftoi vizitën e tij treditore në vendin komunist pas dekadash të tëra armiqësie mes dy kundërshtarëve të Luftës së Ftohtë.

Rolling Stones u krijua në Londër në vitin 1962, tre vjet pasi rebelët mjekroshë të Fidel Kastros rrëzuan qeverinë e atëhershme pro-amerikane të Kubës.

Top Channel