PD: Shëndetësia e Beqjas dhe Ramës të merr jetën

16/09/2016 00:00

Partia Demokratike është shprehur e tronditur nga humbja e jetës së 35-vjeçares Aida Çajkut dhe foshnjës së saj, “në dyert e shëndetësisë së Edi Ramës dhe Ilir Beqjas”.

“Ne gjendemi sot në krah të familjarëve për humbjen e thellë që kanë pësuar, por duam po ashtu të ndajmë shqetësimin e mbarë shoqërisë se shëndetësia e Edi Ramës dhe Ilir Beqës, nuk funksionon, por të merr jetën”, deklaroi zëdhënësja Ina Zhupa në një komunikim me mediat.

Ajo tha se, Partia Demokratike ka pritur sot që Ilir Beqja të shfaqej në publik sepse humbja e dy jetëve është një ngjarje shumë e rëndë.

“Por kjo nuk ndodhi, pasi me siguri, Beqja është duke kalkuluar diku përfitimet e ndonjë tenderi apo konçesioni. As Edi Rama nuk reagon, por hesht”, tha Zhupa.

Ajo u shpreh se, të dy ata janë fajtorët për gjendjen katastrofale ku ndodhet shëndetësia sot, që si çdo ditë, edhe në rastin më të fundit, s’kishte mjetet e instrumentat bazike.

“Ndërkohë që Ilir Beqja dhe Edi Rama kanë ndarë me miq e klientë mbi 300 milionë euro konçesione në shëndetësi, urgjenca gjendet e mbyllur dhe, siç dëshmojnë familjarët e Aidës, ambulanca vonon, është jashtë çdo standardi dhe ata sorollaten sa nga njëri spital në tjetrin përgjatë gjithë natës”, vijoi Zhupa.

Në emër të Partisë Demokratike, ajo inkurajoi prokurorinë që të hetojë e të zbardhë ngjarjen dhe të nxjrrë përgjegjësit para drejtësisë.

“Ndërsa shqiptarët duhet të ngrihen e të ndëshkojnë përgjegjësit e dramës së madhe të shëndetësisë, që nuk i shërben qytetarëve, por pasurimit të Ilir Beqës, Edi Ramës e klientelës së tyre”, shtoi Zhupa.

Top Channel