SHBA gjobisin me 14 mld $ Deutsche Bank; bien aksionet e bankës në bursë

16/09/2016 00:00

Një “tërmet” ka tronditur këtë të premte aksionet e Deutsche Bank në bursën e Frankfurtit, pas publikimit të lajmit se Departamenti amerikan i Drejtësisë i ka kërkuar të paguajë 14 miliardë dollarë.

Lajmi ka bërë që aksionet në hapjen e bursës të bien me 7.2 për qind, pavarësisht se banka ka paralajmëruar se nuk ka ndërmend ta mbyllë çështjen duke paguar shifrën e kërkuar nga amerikanët.

Administrata amerikane ka kërkuar dëmshpërblimin rekord në kuadër të një hetimi mbi hipotekat që jepen nga bankat kundrejt garancive, por që u janë dhënë individëve apo kompanive të pakualifikuara, duke u bërë elementi kryesor që shkaktoi krizën ekonomike të vitit 2008.

Burime në dijeni të përmbajtjes së dosjes kanë deklaruar se, Deutsche Bank nuk ka ndërmend të bëjë lëshime përballë kërkesës amerikane, ndaj dhe gjasat janë që të nisë një proces negociatash mes palëve.

Bankat në Shtetet e Bashkuara janë bërë objekt i një seri hetimesh nën dyshime se kanë dhënë hipoteka të tilla, të cilat më pas i kanë paketuar si investime të sigurta dhe ua kanë shitur riskun të tjerëve.

Në rastin konkret, gjoba ndaj Deutsche Bank është më e rënda që autoritetet amerikane i kanë vendosur bankave pas hetimeve të ndërmarra pas rënies së krizës.

Në 2014, Departamenti i Drejtësisë kërkoi 12 miliardë dollarë nga Citigroup, e cila në fund të negociatave u detyrua të paguante 7 miliardë.

Në 2013 ishte JP Morgan Chase që u ndëshkua me 13 miliardë, ndërsa Bank of America pagoi 16.7 miliardë për të sheshuar kontestin për të njëjtat motive.

Ndërkohë, në janar të këtij viti Goldman Sachs pagoi 5.1 miliardë dollarë. Edhe Deutsche Bank synon që përmes negociatave të arrihet në një shifër më të ulët.

Top Channel