Zgjedhjet në SHBA, Trump në avantazh me 6% ndaj Clintonit

15/09/2016 00:00

Donald Trump fiton terren ndaj rivales demokrate Hillary Clintonit dhe shkëputet me gati 6 për qind prej saj, sipas një sondazhi kombëtar të realizuar nga “USC Dornsife” dhe “Los Angeles Times”.

Manjati i pasurive të paluajtshme gëzon 47.2 për qind të preferencave, ndërsa Clinton vetëm 41.3 për qind. Për republikanin, ky është avantazhi më domethënës pas konventës së partisë së tij në korrik.

Në një sondazh paraprak, dy pretendentët për Shtëpinë e Bardhë ishin kokë më kokë. Ndërkohë, çështja e gjendjes shëndetësore, të atyre që janë mes kandidatëve më të moshuar për Presidencën në historinë amerikane, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

Biznesmeni njujorkez ka publikuar rezultatet e ekzaminimit mjekësor, të lëshuara nga mjeku i tij Harold N. Bornstein. Siç thuhet atje, 70-vjeçari është 190 cm i gjatë dhe peshon 116 kilogramë, çfarë e bën atë të jetë në mbipeshë për gjatësinë që ka.

Trump diskutoi për gjendjen e tij shëndetësore në programin “Dr Oz”, që u xhirua të mërkurën, por u transmetua të enjten. Pikërisht në këtë program, ai zbuloi edhe vlerësimin mjekësor.

“Ndihem po aq mirë, sa kur isha 30 vjeç”, tha miliarderi, edhe pse e pranoi se duhet të humbasë disa kilogramë. Siç mësohet, manjati i pasurive të patundshme ka arritur vlera normale të kolesterolit me ndihmën e ilaçeve dhe ka gjithashtu tension normal të gjakut.

Gjithashtu në letër detajohen pjesë të historikut mjekësor të Trumpit, përfshirë faktin se e vetmja herë kur ishte shtruar në spital, ishte në moshën 11-vjeçare për heqjen e apandesitit.

Dr Bornstein, një specialist gastroenterolog në spitalin “Lenox Hill” në Nju Jork, është kujdesur për Trumpin që prej vitit 1980.

Ekzaminimi mjekësor u publikua, ndërsa rivalja e tij demokrate iu rikthye fushatës pas kurimit nga penumonia. Mjekja e saj, Lisa Bardack deklaroi se Clinton është e shëndetshme dhe e aftë që të shërbejë si Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të dy kandidatët janë përballur me presion publik, lidhur me mungesën e transparencës për gjendjen shëndetësore.

Top Channel