Gjermani, sërish përplasje me azilkërkuesit. Këtë herë në Bautzen

15/09/2016 00:00

Banorë të zonës janë përplasur me disa azilkërkues në qytetin lindor gjerman të Bautzenit, aty ku ndjenjat antiemigracion janë shtuar së tepërmi gjatë vitit të fundit, që prej hapjes së dyerve për refugjatët sirianë nga kancelarja Angela Merkel.

Rreth 80 qytetarë, të përshkruar nga policia si ekstremistë të djathtë, u përleshën me 20 azilkërkues të rinj, të cilët u ndoqën më pas deri në strehën e tyre, ku u morën në mbrojtje edhe nga policia.

Kryebashkiaku i Bautzenit tha se qyteti i tij duhet t’i shmangë të tilla ngjarje dhe të mos kthehet në një fushëbetejë për ekstremistët e djathtë. Ndërkohë, të gjithë azilkërkuesit janë vendosur nën “shtetrrethim”.

Tensionet antiemigracion janë shtuar së tepër në Bautzen këtë vit, sikurse edhe në shumë qytete të tjera gjermane. Banorët vendas nisën të bërtisnin me të madhe, kur ndërtesa ku strehoheshin emigrantët mori flakë në muajin shkurt.

Muajin pasardhës, presidenti Joachim Gauck u abuzua verbalisht kur ai vendosi të vizitonte Bautzenin, për të diskutuar mbi fluksin e refugjatëve në Gjermani. Bautzen, sikurse edhe qyteti fqinj i Niedergurig janë dy prej qytet-strehave të azilkërkuesve të ardhur në këtë vend.

Bautzen ndodhet 60 km në lindje të Dresdenit, qytet nga ku e ka pikënisjen edhe lëvizja antiislamike e “PEGIDA”-s. Që prej mbërritjes së rreth 1.1 milionë emigrantëve dhe refugjatëve të paligjshëm gjatë vitit të kaluar në Gjermani, disa zona, veçanërisht në shtetet lindore, kanë parë dhunë në rritje antiemigracion, sikurse edhe mbështetje për partinë kundër Islamit, “AfD” apo “Alternativa për Gjermaninë”.

Top Channel