“Topi i Artë 2016”, ceremonia e radhës do të zhvillohet në Londër

15/09/2016 00:00

Ceremonia e Topit të Artë FIFA për futbollistin më të mirë të vitit pritet të pësojë ndryshime. Sipas medias zvicerane, Federata Ndërkombëtare e Futbollit dëshiron t’i japë një impuls më të madh këtij trofeu pas mbylljes së kontratës së bashkëpunimit me “France Football”.

Gjithnjë sipas medias zvicerane, ideja e FIFA-s është që eventi çdo vit të zhvillohet në qytete të ndryshme, ndërkohë që po mendohet edhe për ndryshimin e emrit dhe formatit të saj. Mësohet se ceremonia e “Topit të Artë” që do të mbahet në janarin e vitit 2017 ka shumë të ngjarë që të zhvillohet në Londër.

Kjo për faktin se FIFA dëshiron të rrisë akoma më shumë interesin e përgjithshëm e sidomos atë të kompanive më të rëndësishme sponsorizuese të institucionit të drejtuar nga Gianni Infantino.

Bashkëpunimi mes FIFA dhe “France Football” për dorëzimin e “Topit të Artë” nisi në vitin 2010, por sipas një zëdhënësi, tashmë kjo marrëveshje mes qeverisë së futbollit botëror dhe të përjavshmes transalpine ka përfunduar.

Top Channel