Klopp vlerëson Conten në prag të sfidës Chelsea-Liverpool

15/09/2016 00:00

Kjo fundjavë e Premier League ka rezervuar supersfidën mes Chelsea dhe Liverpool, që do të luhet në “Stamford Bridge”. Trajneri Jurgen Klopp, i cili arriti të fitojë me “The Reds” në sfidën e zhvilluar ndaj londinezëve në tetorin e vitit të kaluar, theksoi se këtë radhë e pret një përballje akoma më e vështirë.

Kjo sepse  Chelsea drejtohet nga Antonio Conte, të cilin Klopp e cilësoi edhe si Pep Guardiolën e Torinos, duke iu referuar punës që italiani bëri kur ishte në drejtimin e Juventusit.

“Conte krijoi një mënyrë të të luajturi që pati shumë sukses te Juventusi. Ai ishte i suksesshëm edhe me përfaqësuesen italiane. Rezultatet e tij të lënë vërtet përshtypje, por ne nuk do të luajmë ndaj Antonio Contes”, tha Klopp.

Liverpool vjen në këtë përballje pas fitores 4-1 ndaj kampionëve të Leicester, ndërsa Chelsea barazoi 2-2 me Swansea, ku të dy golat u shënuan nga Diego Costa. Edhe për sulmuesin e përfaqësueses spanjolle, Klopp nuk i kurseu aspak lëvdatat dhe e cilësoi si futbollist të një klasi botëror.

Për ndeshjen me “Blutë”, Jurgen Klopp do të ketë sërish në skuadër mbrojtësin Lovren, i cili mungoi ndaj Leicester për shkak të një problemi në sy. Në të njëjtën kohë pritet edhe kthimi në fushat e lojës së Emre Çan, i cili po riaftësohet nga një dëmtim në kavilje të pësuar në muajin gusht.

Top Channel