Basha: PD do të këpusë hallkat e krimit me politikën

14/09/2016 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat ka deklaruar se subjekti i tij politik i ka idetë e qarta përsa i takon së ardhmes.

Sipas tij, në fokus të PD do të jetë shkatërrimi i lidhjes mes politikës dhe krimit, ose, siç e cilësoi ai, të kartelit të drogës me kryeministrin Edi Rama.

“Konkluzioni i qartë i grupit parlamentar në këtë diskutim, në raport me atë çfarë duhet të bëjmë e çfarë do bëjmë nesër, është ajo që tashmë e di çdo qytetar, dibran e shqiptar. Se aleanca e politikës me krimin dhe në veçanti bashkëpunimi i kartelit të drogës me Edi Ramën mohuan mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, shkatërruan procesin politik. Dhe ky është një problem ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo thjesht dhe vetëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, “grupi tregoi një vendosmëri të plotë dhe të gjithanshme për një konkluzion të shpallur tashmë: Vendosmërinë e Partisë Demokratike për të bërë gjithçka që të këpusë hallkat që lidhin krimin me politikën”.

“Në veçanti kartelin e drogës, i cili ka mbuluar Shqipërinë dhe e ka futur për herë të parë në 26 vite në një situatë të paprecedentë përsa i përket kultivimit të drogës”, ka thënë Basha.

Me këtë rast, kreu i opozitës ka shprehur bindjen se hapat e mëtejshëm që PD do të hedhë do të diskutohen e do të vendosen bashkë me qytetarët.

“Me aleatët tanë politikë dhe me aleatët tanë të natyrshëm, ne do t’ia dalim që t’i këpusim këto hallka, të riinstalojmë lirinë e votës, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë liri tjetër”, ka shtuar Basha.

Dhe që kjo të arrihet, sipas ish-kryetarit Sali Berisha ka vetëm një zgjidhje. Dhe ai është revolucioni demokratik, sepse, sipas Berishës, askush nuk duhet të ketë iluzionin se me Edi Ramën kryeministër mund të ketë zgjedhje.

Top Channel