Rripi i Sigurimit, Tahiri: Jo më opsion, por detyrim

14/09/2016 00:00

Policia Rrugore vijon kontrollet mbi përdorimin e rripit të sigurimit nga ana e drejtuesve të mjeteve që pas nisjes së aplikimit të gjobave, që me ndryshimet e reja variojnë nga 5 mijë deri në 15 mijë lek të reja.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri inspektoi nga afër një nga pikat e kontrollit.

Rripi i sigurimit shpëton jetë, ndaj ai është normë tashmë e padiskutueshme në çdo vend të Europës. Ne jemi shumë të vendosur që rripin e sigurimit të mos e tolerojmë më si një opsion në rrugët e Shqipërisë, por të jetë një detyrim absolut. Unë jam këtu për të mbështetur punonjësit e Policisë Rrugore, ashtu siç jam këtu për t’u bërë një thirrje qytetarëve për të kuptuar se rripi i sigurimit shpëton së pari jetën tuaj, dhe të gjithë atyre që janë pasagjerë”, tha ministri Tahiri.

Lidhur me ligjin për masat shtesë të sigurisë publike, i kthyer për rishqyrtim në Parlament nga Presidenti Nishani, Tahiri la të kuptohet se ka siguruar mbështetjen e deputetëve për ta miratuar brenda 2 seancave plenare të ardhshme.

“Unë e kam kënaqësi, përveçse të pasurit pjesë të detyrës sime të përditshme, të bind çdo deputet në Kuvendin e Shqipërisë, që të votohet një projektligj, të cilin e kam propozuar unë, dhe i cili besoj do rrisë premisat kryesore për të parandaluar ngjarjet kriminale”, tha Tahiri.

Ndërkohë, për trafikun e rënduar në kryeqytet Tahiri tha se në bashkëpunim me Policinë Bashkiake do të arrihet të menaxhohet situata dhe se trafiku është i përkoshëm në të mirë të investimeve publike.

Top Channel