Senatori australian: Të braktisim Kombet e Bashkuara

14/09/2016 00:00

Një senator i sapozgjedhur përdori fjalimin e tij të parë në Parlament, për t’i bërë thirrje Australisë që të frymëzohet nga “Brexit”-i britanik dhe të braktisë Kombet e Bashkuara.

Senatori Malcolm Roberts u zgjodh nga provinca e Queenslandit, si anëtar i partisë antiemigracion “Një Komb”. Edhe më herët, Roberts ka shkaktur mjaft kontradikta me teorinë e tij se, ndryshimet klimatike janë një komplot global i krijuar nga bankierët, që kërkojnë të ndërtojnë një qeveri mbarëbotërore.

“Vlerat dhe mënyra e jetesës australiane rrezikohen nga institucione kërcënuese, si grupi i pazgjedhur me votë popullore që quhet Kombet e Bashkuara. Në të njëjtin kuadër, BE është një model për dominimin socialist të Europës nga organizma të pazgjedhur si FMN-ja, që imponojnë agjendën e tyre të frikësimin mbi popujt. Kështu është edhe modeli i OKB-së dhe Australia duhet ta braktisë atë”, deklaroi Roberts.

Ai shtoi gjithashtu se nuk donte t’ia dinte se çfarë mendon elita për të, pasi ai dhe partia e tij janë në Parlament për popullin dhe kombin. Sigurisht që në fjalimin e tij të parë në Senat, ai nuk mund të linte pa përmendur temën e tij të preferuar dhe sulmoi ashpër mbështetësit e ngrohjes globale, e tha se edhe në këtë çështje pozicioni i OKB-së është absurd.

Top Channel